DETAJET PËR TESTIN E PARË TË GJAKUT PËR SËMUNDJEN E ALZHEIMERIT

DETAJET PËR TESTIN E PARË TË GJAKUT PËR SËMUNDJEN E ALZHEIMERIT

Shkaku më i shpeshtë botë i demencës është sëmundja e Alzheimerit. Njëri prej mekanizmave kryesorë që shpie deri te manifestimi i sëmundjes është grumbullimi i amiloidit në tru. Deri para disa vitesh, inhibitorët e kolinesterazës kanë qenë të vetmit që janë përdorur për trajtimin e sëmundjes së Alzheimerit. Këto barna janë përdorur edhe për llojet e tjera të demencës, pa indikacion shkencor, rrjedhimisht pra edhe në demenca që nuk e kanë depozitimin e amiloidit si mekanizëm patologjik. Mirëpo, me daljen në treg të antitrupave monoklonalë antiamiloid që e kanë për cak në mënyrë specifike mekanizmin amiloid, parashtrohet nevoja që të përcaktohet saktësisht edhe tipi i demencës, pra të konfirmohet Alzheimeri. Duke qenë se sëmundja e Alzheimerit mund të konfirmohet vetëm në autopsi – pas vdekjes së pacientit – i bie që parashtrohet nevoja për detektimin e pllakave të amiloidit përmes lëngjeve apo indeve të personave që janë – kuptohet – të gjallë.

Punksioni lumbal i cili mundëson vlerësimin e nivelit të amiloidit në lëngun trunoshpinor (LTSH) dhe skanimi PET janë dy mundësi që e paraqesin mirë patologjinë e amiloidit në sistemin nervor qendror. Mirëpo, procedura e parë është invazive, kurse e dyta është e kushtueshme dhe personit që testohet duhet t’i jepet substancë radioaktive. Vështirësitë e tilla dhe gabimet e tjera klinike gjatë vlerësimit shkaktojnë sipas një studimi që 25% të rasteve që diagnostikohen si sëmundje e Alzheimerit të mos jenë në të vërtetë të tilla.

Në maj të këtij, Administrata amerikane e Ushqimit dhe e Barnave (FDA) e aprovoi testin e parë të gjakut për detektimin e amiloidit në tru. Testi indikohet për përdorim te personat mbi moshën 50-vjeçare që shprehin simptoma dhe shenja të sëmundjes së Alzheimerit. Aftësia e detektimit të amiloidit është ekuivalent me pajisjen paraprake të kompanisë së njëjtë që e vlerëson amiloidin përmes LTSH-së. Prandaj, kostoja, lehtësia e aplikimit dhe siguria e rezultatit pritet të jenë elementet kyçë për suksesin dhe përhapjen e përdorimit të testit.