BULETINI I ECTRIMS PËR MUAJIN MAJ 2024

BULETINI I ECTRIMS PËR MUAJIN MAJ 2024

PUBLIKIMI SHKENCOR I JAVËS

BULETINI I ECTRIMS PËR MUAJIN MAJ 2024


1. PËRQENDRIMI NË MEKANIZMAT NEURALË TË DOBIVE TË STËRVITJEVE NË SKLEROZËN MULTIPLE

Ky studim ka për qëllim të japë një kornizë për drejtimin e hulumtimit në efektet e aktivitetit fizik në mobilitetin dhe kognicionin e pacientëve me sklerozë multiple (MS). Ai propozon katër shtigje në kuadër të një kornize mjekësore eksperimentale: 1) zhvillimin e një modeli për identifikimin e caqeve potenciale në sistemin nervor qendror; 2) vendosjen e ndërlidhjeve ndërmjet modelit konceptual dhe rezultateve në kognicion dhe aftësi motorike; 3) vlerësimin e efektit të stërvitjeve në rezultatet që burojnë nga sistemi nervor qendror; 4) realizimin e ekzaminimit gjithëpërfshirës për efektet e trajnimit fizik në rezultatet kognitive dhe motorike duke i përdorur caqet e sistemit nervor qendror si ndërmjetës. Kjo qasje mund të ofrojë dëshmi më të fuqishme për mbështetjen e promovimit të trajnimit fizik në mesin e profesionistëve që merren me njerëzit që vuajnë nga MS.

https://www.sciencedirect.com/science/article/abs/pii/S2211034824002104?via%3Dihub


2. INTERLEUKINA-9 MBRON NGA SINAPTOTOKSICITETI I NDËRMJETËSUAR NGA MIKROGLIA DHE TNF NË MODELET EKSPERIMENTALE TË SKLEROZËS MULTIPLE

Mikroglia dhe astrocitet luajnë një rol të rëndësishëm në neuroinflamacionin e ndërmjetësuar nga MS dhe i kontribuojnë ndryshimit të transmisionit sinoptik duke liruar citokina proinflamatore. Interleukina-9 (IL-9) – një citokinë pleiotropike – është e përfshirë në patofiziologjinë e MS. Në individët me formën RRMS, niveli i IL-9 në lëngun trunoshpinor është në proporcion të zhdrejtë me inflamacionin dhe neurodegjenerimin. Studimi aktual prezanton rolin e IL-9 në minjtë e gjinisë femërore me encefalomielit autoimun eksperimental (MS i indukuar në kushte laboratorike). Autorët kanë vëzhguar se administrimi sistemik dhe lokal i IL-9 e ka keqësuar encefalomielitin, duke shkaktuar paaftësi dukshëm të keqësuar dhe dëmtim të shprehur neuroinflamator dhe sinoptik.

https://jneuroinflammation.biomedcentral.com/articles/10.1186/s12974-024-03120-9


3. ZBËRTHIMI I HETEROGJENITETIT TË SKLEROZËS MULTIPLE PËRMES IDENTIFIKIMIT TË DIMENSIONEVE TË PAVARURA NEUROPATOLOGJIKE

Studimi ka për synim hulumtimin e heterogjenitetit të tipave të lezioneve në MS. Hulumtuesit i kanë analizuar të dhënat nga autopsitë e 226 pacientëve me MS, kufoma e të cilëve i është dhuruar Bankës Trunore të Holandës me qëllim hulumtimi. Ata kanë identifikuar tre dimensione të neuropatologjisë së MS në ndërlidhje me manifestimet e klinike. Dimensioni i parë është i ndërlidhur me rëndesën e manifiestimit klinik dhe demielinizimin. Pacientët tipikë të me këtij grupi kanë treguar dëmtim neuroaksonal më të gjerë, lezione më aktive dhe të përziera, si edhe më tepër lezione me mikroglia shkumore. Dimensioni i dytë është i ndërlidhur me sëmundjen më pak agresive dhe me praninë e nyjave, të cilat mund të konsiderohen si faza e parë e formimit të lezioneve. Pacientët tipikë të këtij grupi kanë pasur proporcion më të lartë lezioneve aktive me mikroglia të degëzuara. Dimensioni i dytë është i ndërlidhur me rrezikun gjenetik në regjionin e HLA. Dimensioni i tretë është i ndërlidhur me aktivitetin më të ulët të lezioneve dhe proporcionin më të lartë të lezioneve mikse krahasuar me ato aktive. Pacientët tipikë të këtij grupi kanë pasur kohëzgjatje më të madhe të sëmundjes, mikroglia të degëzuara, tendencë më të madhe për të bërë vraga, përfshirje më të ulët të mekanizmave adaptivë të sistemit imunologjik, më pak dëmtime aksonale dhe densitet më të lartë aksonal. Të tria dimensionet nuk kanë qenë në ndërlidhje me moshën e fillimit të sëmundjes, gjininën apo fenotipin e MS.

https://www.sciencedirect.com/science/article/pii/S221103482400258X?casa_token=N_l950K1cekAAAAA:vZRo7gDNm5egoMdu72BgL-kSQPcggNBlbpDQiV4zDHZLwAlW1T2aVIcAK6VdY5hsxWVsLOo_Qwk


4. EFIKASITETI NEUROLOGJIK DHE SIGURIA E TRAJTIMIT ME QELIZA AMË MEZENKIMALE NË PACIENTËT ME SKLEROZË MULTIPLE: REVIEW I PËRDITËSUAR SISTEMATIK DHE META-ANALIZË

Pas analizimit të 30 studimeve, hulumtuesit erdhën në përfundimin se personat që janë trajtuar me tipin specifik të trajtimit me qeliza amë – transplantimi intratekal i bazuar në protokoll i qelizave amë mezenkimale – kanë treguar përmirësim domethënës afatshkurtër në EDSS krahasuar me personat e trajtuar me placebo. Nuk ka pasur ndryshim në numrin mesatar të relapseve/sulmeve brenda vitit.

https://link.springer.com/article/10.1007/s00401-024-02742-w


5. KOHA ËSHTË MIELINË: RIPARIMI I HERSHËM I MIELINËS KORTIKALE PARANDALON ATROFINË DHE PROGRESIONIN KLINIK NË SKLEROZË MULTIPLE

Studimi ka hulumtuar demielinizimin dhe remielinizimin në 140 pacientë të të gjitha formave të MS përgjatë 5 viteve, përmes përdorimit të magnetization transfer imaging (MTI). Me përparimin e sëmundjes gjatë viteve, rritet humbja e mielinës kortikale. Megjithatë, afro gjysma e pacientëve me MS përfitojnë nga riparimi i gjerë spontan i mielinës kortikale, pa marrë parasysh moshën dhe kohëzgjatjen e sëmundjes. Autorët tregojnë që remielinizimi kortikal e parandalon atrofinë dhe paaftësinë afatgjatë në individët në fazën e hershme të MS dhe me humbje të kufizuar të mielinës kortikale.

https://academic.oup.com/brain/article/147/4/1331/7588717?login=false