LEZIONET E QARKULLIMIT TË PASMË TË TRURIT SHOQËROHEN MË SHPESH ME SULME EPILEPTIKE TË HERSHME PAS INFARKTIT TRUNOR AKUT

LEZIONET E QARKULLIMIT TË PASMË TË TRURIT SHOQËROHEN MË SHPESH ME SULME EPILEPTIKE TË HERSHME PAS INFARKTIT TRUNOR AKUT

Hulumtimi i ekipit të Klinikës së Neurologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), i udhëhequr nga Dr. Argjend Shala, është publikuar në revistën shkencore italiane “Italian Journal of Medicine” në të cilin është vënë në pah se infarktet trunore akute që burojnë nga lezionet në qarkullimin e pasmë të trurit shoqërohen më shpesh me sulme epileptike në fazën e hershme pas infarktit.

Hulumtimi burimor ka përfshirë 260 pacientë të cilët në mënyrë prospektive janë futur në vlerësim dhe janë përcjellë në mënyrë dinamike. Janë regjistruar të dhënat demografike, ato klinike, lloji i infarktit, incidenca e sulmeve epileptike të hershme, shkalla e paaftësisë sipas NIHSS dhe karakteristikat radiologjike të infarktit në tomografinë e kompjuterizuar – shkalla ASPECT.

Sulmet epileptike të hershme janë manifestuar në 11.6% të pacientëve me infarkt iskemik, krahasuar me 7.6% të atyre me hemorragji. Këto kriza kanë qenë më të shpeshta në infarktet që kanë buruar nga qarkullimi i pasmë (18.5% karshi 7.1% në qarkullimin e përparmë) dhe te pacientët me pasqyrë klinike më të rëndë, përkatësisht te ata me shkallën NIHSS mbi 15 (19.4% karshi 8.4% te ata me nën 15). Pas analizës statistikore që i ka marrë parasysh faktorët e tjerë të rrezikut, ka dalë se infarkti trunor në territorin e qarkullimit të pasmë të trurit shoqërohet me rrezik trefish të shtuar për sulme të hershme epileptike.

Këto gjetje parashtrojnë nevojën për hulumtim të mëtejmë të faktorëve shtesë që predisponojnë manifestimin e sulmeve epileptike pas infarkteve trunore, me qëllim të përmirësimit të menaxhimit dhe rezultateve të kujdesit për pacientë me infarkt akut trunor.

Punimin e plotë të ekipit hulumtues kosovar e gjeni në linkun:

https://www.italjmed.org/index.php/ijm/article/view/1683/1597