MENAXHIMI ENDOVASKULAR DHE FARMAKOLOGJIK I OKLUZIONIT AKUT TË ARTERIES BAZILARE

MENAXHIMI ENDOVASKULAR DHE FARMAKOLOGJIK I OKLUZIONIT AKUT TË ARTERIES BAZILARE

PUBLIIKIMI SHKENCOR I JAVËS

Arteria bazilare është jetike në furnizimin e trungut trunor me gjak, duke ditur se në trungun trunor lokalizohen disa prej qendrave kryesore që mundësojnë funksionimin e organizmit tonë. Nëse mbyllja e përnjëhershme e kësaj arterieje duhet të trajtohet me barna apo me ndërhyrje endovaskulare për heqjen e trombit që e ka mbyllur, është çështje debati. Analiza sekondare e studimit të randomizuar, ku një pjesë e pacientëve janë trajtuar në mënyrë endovaskulare, kurse pjesa tjetër me barna, është publikuar.

Ky vlerësim ka pasur për synim të shikojë gjendjen funksionale të pacientëve një vit pas ndërhyrjes endovaskulare, përkatësisht trombektomisë, karshi grupit të kontrollit. Studimi ka qenë vazhdim i atij ATTENTION. Pas trajtimit, pacientët janë përcjellë për një vit dhe janë përfshirë ata në të cilët është intervenuar brenda 12 orësh pas fillimit të simptomave akute të okluzionit të arteries bazilare. Janë përfshirë gjithsej 330 pacientë.

Gati 70% e pacientëve kanë qenë meshkuj dhe mosha mesatare e tyre ka qenë 67. Shkalla e modifikuar e Rankinit 0-3 (shkallë e ulët e paaftësisë) është arritur në 44.6% të pacientëve të grupit i cili i është nënshtruar trombektomisë mekanike dhe vetëm në 19.4% të pacientëve që janë trajtuar me barna, pra pa ndërhyrje mekanike. Rezultati i mrekullueshëm, pra paaftësia minimale (shkalla e Rankinit 0-1), pas 1 viti në krahasim me atë pas 90 ditësh, është rritur në grupin e të nënshtruarve trombektomisë (27% pas 1 viti karshi 19.9% pas 90 ditësh), por jo edhe në atë të trajtuar me barna (8.3% pas 1 viti karshi 7.9% pas 90 ditësh).

Përfundimi është se trajtimi me trombektomi endovaskulare i okluzionit të arteries bazilare është më i suksesshëm dhe se dobia është e qëndrueshme dhe afatgjatë.