PËRDITËSOHEN KRITERET E MCDONALDIT PËR DIAGNOSTIKIMIN E SKLEROZËS MULTIPLE

PËRDITËSOHEN KRITERET E MCDONALDIT PËR DIAGNOSTIKIMIN E SKLEROZËS MULTIPLE

LAJMI SHKENCOR I JAVËS

Konferenca kryesore vjetore e sëmundjeve demielinizuese – ECTRIMS – është mbajtur në Kopenhagë dhe ndër lajmet kryesore ka qenë prezantimi i punës së grupit të ekspertëve për përditësimin e kritereve të McDonaldit, instrumentit kryesor për diagnostikimin e sklerozës multiple. Xavier Montalbani nga Qendra e Sklerozës Multiple në Barcelonë, i cilin e kryesoi komitetin e ekspertëve bëri prezantimin e ndryshimeve dhe nënvizoi që “po shkojmë drejt diagnostikimit molekular të sëmundjes”.

Disa pacientë që deri tani kanë pasur ndryshime radiologjike në tru sugjeruese për MS, por nuk kanë pasur simptoma dhe shenja klinike – sindroma radiologjike e izoluar – do të mund të diagnostikohen më lehtë me MS definitiv. Duke qenë se më shumë se gjysma e këtyre pacientëve brenda 10 vitesh zhvillojnë MS, atëherë prania e lezioneve në së paku dy nga pesë lokacionet tipike, do të mjaftojë për diagnostikim. Po ashtu, diseminimi në kohë i lezioneve në tru nuk do të jetë kriter për diagnostikimin. Këto dy ndryshime janë kryesoret në drejtim të lehtësimit të diagnozës dhe fillimit sa më të hershëm të trajtimit imunomodulator.

Diagnoza e bazuar vetëm në problemet klinike nuk lejohet më, por pacienti duhet të ketë edhe dëshmi të dëmtimit tipik në tru apo në palcën e kurrizit, që dokumentohen përmes imazherisë me rezonancë magnetike. Katër lokacioneve tipike të lezioneve – periventrikular, jukstakortikal, kortikal dhe infratentorial – i është shtuar edhe nervi optik, si lokacion i pestë.

Nëse i kthehemi sindromës radiologjike të izoluar, personave që kanë diseminim në hapësirë të lezioneve në MRI, do t’u mjaftojë ta kenë testin pozitiv në shirita oligoklonalë ose së paku 6 lezione në MRI me shenjën e venës qendrore në mënyrë që diagnoza e MS të jetë definitive. Kjo është vazhdimësi e fitimit në peshë të shiritave oligoklonalë në LTSH, sikur që ishte bërë në përditësimin e kritereve në 2017, kur rasteve me një episod klinik të atakut demielinizuese (sindroma klinike e izoluar) ishte lejuar që prania e shiritave në LTSH ta zëvendësonte diseminimin në kohë të lezioneve radiologjike.

Kriteret në përgjithësi e lehtësojnë diagnozën dhe kjo gjë ka implikim në fillimin e trajtimit imunomodulator. Simptomat tipike të MS dhe prania e lezioneve në së paku 4 lokacione radiologjike është e mjaftueshme për diagnozën e MS. Në PPMS, progresioni klinik dhe së paku dy lezione në palcën e kurrizit mjaftojnë për diagnozë. Kriteret e reja lejojnë po ashtu shiritat oligoklonalë të zëvendësohen me zinxhirët e lehtë të lirë kappa, që mund të maten shpejt dhe në mënyrë sasiore. Ato paraqiten në LTSH shpejt pas inflamacionit.

Kriteret e përditësuara nuk janë zyrtarizuar ende. Pritet konsultimi me komunitetin më të gjerë të ekspertëve të fushës.