Për ne
ANËTARËT
Shoqata e Neurologjisë e Kosovës
Shoqata e Neurologjisë e Kosovës është asociacion profesional i profesionistëve shëndetësor që në punën e përditshme të tyre kanë të bëjnë me Neurologji. Shoqata grumbullon rreth 100 anëtar, dhe ka për synim ngritjen e kapaciteteve dhe zgjerimin e njohurive profesionale në fushën e Neurologjisë. Ky qëllim arrihet përmes organizimiz zë konferencave, seminareve, kongreseve dhe puntorive edukative të niveleve të ndrysdhme dhe në mënyrë të vazhdueshme. Shoqata e Neurologjisë e Kosovës është antare e Federatës Botërore të Neurologjisë (WFN), Akademisë Evropiane të Neurologjisë (EAN), e Shoqatës Evropiane të Insulteve Cerebrovaskulare (ESOC).
REFLEKTIM MBI ZHVILLIMIN E NEUROLOGJISË
REFLEKTIM MBI ZHVILLIMIN E NEUROLOGJISË
Para
afër katër dekadash kur filloi jeta ime profesionale si mjek në Klinikën Neuropsikiatrike të atëhershme, e Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, neurologjia konsiderohej si disiplina më akademike e mjekësisë, ku mjeku duhet të di shumë por për fat jo të mirë të pacientëve të ndihmojë pothuajse aspak. Ishim në të vërtetë vëzhgues pasiv të proceseve nga më të llojllojshme të sistemit nervor, e përcillnim ecurinë e sëmundjes të kufizuar në trajtim, me mundësi të terapisë simptomatike dhe paliative pa pas as edhe më të voglën hapësirë të bëjmë ndonjë ndryshim substancial në semiologjinë e saj. Praktikisht nuk kishim diagnostikë, të vetmet ekzaminime të kërkuara në mënyrë standarde për pothuajse të gjithë pacientët e hospitalizuar në klinikë ishte fundusi i syrit dhe radiografia e kafkës me vëzhgim të posaçëm në shalën turke dhe më besoni as edhe një herë gjatë shumë vitesh nuk kemi zbuluar asgjë, EEG analog i cili sot do të dukej si mbetje e periudhës parahistorike. Shumë shpejt, e sidomos pas luftës, situata ndryshoi në mënyrë substanciale, kuadro profesionale tejet të përgatitura, teknologjia e imazherisë avancoi jashtëzakonisht shumë, tomografi të kompjuterizuara shumështresore, rezonanca magnetike nga më të sofistikuara, diagnostikë moderne neurofiziologjike, teknologji tejet të përparuara biokimike me trajtime shumë të avancuara, e ndryshuan situatën e shërbimeve neurologjike në Kosovë. Nuk është më neurologjia disiplinë akademike ku pas diagnostikimit i thuhet pacientit “adio”. Trajtim modern i sëmundjes iskemike trunore (tromboliza, trombektomia), i sklerozës multiple me terapi të avancuar imunomuduluese, i epilepsisë, sëmundjeve neurodegjenerative, neuroautoimune, kokëdhimbjeve, e kanë avancuar neurologjinë kosovare së paku në nivelin regjional e në disa raste edhe më lartë. Edhe pse sot fokusi i mjekësisë moderne është në kancer, sëmundjet kardiovaskulare, sëmundjet metabolike si diabeti, viteve të fundit kemi një zhvendosje të konsiderueshme të vëmendjes në drejtim të çrregullimeve neurologjike. Si shkojnë vitet popullata globale do të shtohet e me të edhe sëmundjet neurologjike dhe 1 në 3 persona do të preken nga to. Në vitet kur kemi një rritje eksponenciale të moshës së njeriut, me mortalitet të ulur të porsalindurve, me trajtim efikas të shumë sëmundjeve infektive, një numër më i madh i njerëzve do të vuajnë nga sëmundjet neurologjike të lidhura me moshë; si pika në tru, sëmundjet neurodegjenerative (Alzhemier, Parkinson etj.), epilepsia, sëmundjet neuroautoimune. Ndonëse neuroshkenca është lëmi më komplekse e mjekësisë, neurologjia është disiplinë tejet adaptive, aq më tepër se një numër i konsiderueshëm i çrregullimeve mund të trajtohen në kushte jashtë spitalore. Neurologjia e sotme është bazuar në njohuri të mbledhura, shekuj me radhë, në nivelin makroskopik, në observim, duke u transformuar në nivelin mikroskopik në dekadat e fundit, por kjo nuk mjafton në kompletim të njohurive, se si truri dhe funksionet e tij procedohen, tek e fundit, ne nuk kemi as ide se si p.sh funksionon memoria. Njohuritë sot po shtohen me shpejtësi marramendëse dhe nëse për dyfishim të njohurive në mjekësi në vitet 80 është dashtë të kalojnë 50 vite, sot për dyfishim të njohurive duhen rreth 70 ditë. Një cunami i tillë, i frikshëm, i informatave do të shpejtojnë edhe më tepër avancimet mbi funksionimin e sistemit nervor dhe eventualisht do të kenë implikime në trajtimin e problematikës të cilën e studion neurologjia. Njohja e çdo kaskade sinjalizuese, çdo gjeni, çdo proteine dhe rolin e tyre në sistemin nervor të njeriut, nënkupton se do të jemi në gjendje të identifikojmë se kur diçka është jashtë ekuilibrit dhe si ta rregullojmë atë. Duke trajtuar personin e sëmur, e jo sëmundjen e tij, duke e personalizuar trajtimin deri në përmasa tani të paimagjinueshme. Ashtu si përmirësohen mundësitë e diagnostikimit imazherik, bioelektrik dhe biokimik ashtu do të përmirësohen edhe njohuritë mbi neuronin, mikroqarqet neuronale, sistemet brenda trurit dhe organizmit në tërësi. Dhe nga gjithë kjo, të kuptuarit e neurologjisë do të lulëzojë në diçka krejt tjetër, larg nga qasja aktuale në diagnostikim të sëmundjes dhe trajtimin e saj, të cilat sot janë të bazuara në studime të kontrolluara. Një vërshim i vazhdueshëm i njohurive fundamentale të neuroshkencës, identifikimi i gjeneve, neurogjenomika, mjetet neurodiagnostike sidomos teknikat tejet të avancuara të teknologjive në neuroimazheri, biomarkerët longitudinal kanë dhënë mundësi të jashtëzakonshme për klinicistët neurolog. Nanoteknologjia me të gjitha të arriturat e saj do të transformon njohuritë e sotme duke na mundësuar të kuptojmë natyrën e lëkundjeve bioelektrike dhe biokimike, duke ndryshuar në thelb konceptin e asaj që sot e quajmë neurologji. Dhe si koha kalon trajtimet revolucionare do të lindin, që nga trajtimi direkt me qelizat mëmë, duke përdorur teknologjinë shumë të shpjet të internetit me anë të telemjekësisë si mundësi të trajtimit nga mjekët më të mirë, në tërë rruzullin tokësor, nëpër robot të cilët do të kryejnë trajtime kirurgjikale me saktësi të cilën njeriu as nuk mund ta imagjinojë, e deri te implantimi i çipeve për monitorim të aktivitetit bioelektrik dhe biokimik të trupit, për njohje dhe përcjellje sa më të mirë të sëmundjeve neurologjike. Në të kaluarën neurologu është shquar si klinicist i shkathtë i cili vjen deri te diagnoza bazuar në anamnezë dhe ekzaminim somato/neurologjik, me mundësi tejet të kufizuara terapeutike. Një situatë e tillë ka bërë që shumë prej shkath - tësive më herët tejet të kërkuara dhe të vlefshme klinike të harrohen. Shpresoj me respektin më të madh, se e ardhmja e neurologjisë do të qëndroj si balancë e harmonizuar e tensionit në mes të polit të shkathtësive klinike dhe tejmbështetjes në paradigmën e tes - timeve. Ky shpërthim i mundësive diagnostike në të gjitha nivelet e ka edhe anën e errët në kuptim të kërkimeve të shumë testeve potencialisht të pa nevojshme dhe të pa arsyeshme, shpesh të motivuara nga fragjiliteti etik i mjekut, duke mundësuar kështu që të “ndotet burimi i çiltër ende pa u shfrytëzuar”. E ardhmja e neurologjisë do të reflektohet edhe në mundësi shumë të mëdha në zhvillim të trajtimeve potenciale në shtyrjen, shërimin, e në kushte ideale edhe parandalimin e shumë sëmundjeve neurologjike sidomos ato neurodegjenerative. Për këtë situatë të re duhet të edukohen lloj i ri i posaçëm i neurologëve të gatshëm dhe të përgatitur për këto trajtime në aplikimin e medikamenteve të reja, teknologji pluripotente të qelizave humane mëmë, terapive me gjene, imunomoduloatorëve të rinj. Neurologëve të përgatitur në lëmit intervent si në sëmundjen iskemike të trurit, dhembje, neurostimulim, bile edhe neurodegjenerim. Dhe të gjitha këto të cekura më lartë duhet të përkthehen edhe në nivelin kombëtar, duke i përcjellë sa më shumë që është e mundur të arriturat që po vijnë. Investimi në kuadro dhe teknologji së bashku me aplikimin e terapive moderne do të jenë fondamente e të ardhmes së ndritur të neurologjisë në Kosovë, duke përmbushur kështu edhe misionin themelor i të qenit profesionist, e ajo është të jemi në shërbim dhe dispozicion të gjithëve të cilët kanë nevojë për ne.
Prof. Dr. Afrim Blyta, Kryetar
Shoqata e Neurologjisë e Kosovës