PREZANTIM NË KONGRESIN BOTËROR TË EPILEPSISË
Në Kongresin vjetor të Ligës ndërkombëtare kundër epilepsisë (ILAE), i cili është duke u mbajtur në Romë të Italisë, është bërë prezantimi poster i të dhënave burimore nga Klinika e Neurologjisë e QKUK-së lidhur me vlerësimin e shkallës së depresionit në pacientët me epilepsi.
Epilepsia është një sëmundje kronike, që përveç ngarkesës fizike shkakton edhe shumë vështirësi në sferën psikologjike dhe sociale për personat që vuajnë nga ajo, si edhe për familjarët dhe rrethin e ngushtë të familjes. Çrregullimi depresiv është shoqërues i shpeshtë i kësaj sëmundjeje dhe paraqet ngarkesë shtesë për funksionimin e pacientëve epileptikë.
Për ta hulumtuar fenomenin e depresionit në epilepsi dhe ndikimin e tij në pacientët kosovarë, ekipi i udhëhequr nga Prof. Valbona Govori në Klinikën e Neurologjisë në QKUK, ka përfshirë 125 pacientë epileptikë të Klinikës dhe e ka shkallëzuar depresionin duke e përdorur shkallën e Beckut. Është vënë në pah se 75% e grave dhe 61.4% e burrave kanë treguar shenja depresive, që kanë ndryshuar nga ato të lehta deri te më të rëndat.
Pacientët me formën e gjeneralizuar të epilepsisë kanë pasur prirje më të lartë për depresion më të theksuar. Grupi i këtyre pacientëve kanë përbërë 59% të pacientëve me shkallë të lehtë, 61.5% të pacientëve me shkallë të mesme dhe 47.6% të pacientëve me shkallë të rëndë të depresionit. Vlerësimi me kohë dhe qasja serioze në trajtimin e depresionit paraqet një hallkë të rëndësishme të kujdesit me cilësi të lartë ndaj pacientëve me epilepsi.