PREZANTIM NË KONGRESIN BOTËROR TË SKLEROZËS MULTIPLE
Në konferencën kryesore të sklerozës multiple në botë – ECTRIMS – e cila u mbajt javën e kaluar në Kopenhagë, për të dytin vit rresht, u paraqit një punim burimor i Klinikës së Neurologjisë në QKUK. Ekipi hulumtues kosovar prezantoi sivjet të dhënat lidhur me rregullsinë e marrjes së terapisë interferon beta nga pacientët e diagnostikuar me sklerozë multiple në Kosovë.
Injeksionet e interferonit janë ndër barnat që klasifikohen si imunomodulatorë qëllimi i të cilave është modifikimi i ecurisë së sklerozës multiple, përkatësisht parandalimi i sulmeve të sëmundjes dhe keqësimi gradual funksional i aktiviteteve të pacientëve. Duke siguruar mbrojtje në njërën anë, në anën tjetër kanë edhe efekte anësore lokale që kanë të bëjnë me vendin e injeksionit dhe efekte anësore të përgjithshme që përfshijnë ethet, temperaturën, molisjen e rraskapitjen e përgjithshme.
Këto efekte krijojnë kufizim në rregullsinë e marrjes së terapisë duke shkaktuar ngecjen në qëllimin e trajtimit dhe duke ndikuar negativisht në ecurinë e sëmundjes. Deri me 31 mars 2024, 379 pacientë kosovarë kanë figuruar se janë duke marrë interferon, që paraqet 75% të numrit të përgjithshëm të pacientëve në terapi. Arsyeja kaq e madhe qëndron në faktin se Ministria e Shëndetësisë e Kosovës siguron më së tepërmi këtë lloj medikamenti për pacientët në Kosovë. Pak më shumë se dy të tretën e pacientëve e përbëjnë gratë.
Rregullsia e marrjes së terapisë në këtë grup pacientësh është 71%, që i bie se mesatarisht secili pacient e merr vetëm dy të tretën e dozës së nevojshme. Faktorët kryesorë që ndikojnë në uljen e rregullsisë së marrjes së terapisë janë mosha më e shtyrë, shkalla e lartë e paaftësisë fizike, kohëzgjatja më e madhe e të qenët në trajtim dhe format progresive të sëmundjes.
Në planifikimin vjetor të saj dhe në forumet e ndryshme të diskutimit, Klinika e Neurologjisë dhe Shoqata e Neurologjisë e Kosovës kërkojnë vazhdimisht nga Ministria e Shëndetësisë sigurimin e barnave sa më efektive dhe të atyre që merren më lehtë si edhe kanë efekte anësore më të buta për trajtimin e sklerozës multiple.