DITA BOTËRORE E SKLEROZËS MULTIPLE

DITA BOTËRORE E SKLEROZËS MULTIPLE

30 maji shënohet në mbarë botën si Ditë e vetëdijesimit për sklerozën multiple. Kjo është një sëmundje diagnostikimi i së cilës bëhet në moshë të re, zakonisht para asaj 40-vjeçare. Është një sëmundje inflamatore kronike, e cila ka ecuri të llojllojshme - ecuria kryesore është me përkeqësime (relapse) dhe përmirësime (remiting) - RRMS - që mund të ndodhin në mënyrë spontane apo me terapi me dozë të lartë kortikosteroidesh. Në rreth 15% të rasteve ecuria mund të jetë keqësuese që prej fillimit me akumulimin gradual të paaftësisë (forma e njohur si primare progresive - PPMS). Një numër i konsiderueshëm i rasteve pas 10-15 vitesh mund të kalojnë nga faza RRMS në atë që quhet sekondare progresive - SPMS. Diagnostikimi i sëmundjes bëhet në bazë të simptomave dhe shenjave neurologjike, imazherisë me rezonancë magnetike dhe analizave shtesë laboratorike, ndër ta kryesori testimi për praninë e bandave oligoklonale në lëngun trunoshpinor dhe në serum.

Njësia e Sklerozës Multiple dhe e Sëmundjeve Demielinizuese, në kuadër të Klinikës së Neurologjisë, është themeluar në vitin 2020. Që prej asaj kohe, në këtë Njësi bëhet përpunimi, diagnostikimi, merret vendimi për fillimin e terapisë afatgjatë imunomodulatore, bëhet përcjellja e efektit të terapisë dhe i efekteve anësore, dhe në bazë të ecurisë, bëhet ndërprerja apo zëvendësimi i terapisë. Që prej përditësimit të listës esenciale të barnave të siguruara nga Ministria e Shëndetësisë që ndodhi nga fundi i dekadës së kaluar dhe paraqet një proces të vazhdueshëm, Kosova ka zgjeruar numrin dhe llojin e barnave për trajtimin e sklerozës multiple. Përkundër progresit të jashtëzakonshëm, fusha terapeutike e sklerozës multiple është e gjerë dhe ka prurje të vazhdueshme të barnave të reja. Prandaj, paraqitet nevojë e vazhdueshme për përditësimin e listës dhe shtimin e numrit të barnave me efikasitetit të lartë për trajtimin e saj.

Terapia afatgjatë imunomodulatore është alternativa e vetme që pacientëve u mundëson të kenë jetë pa relapse, pa përkeqësim gradual të gjendjes së tyre fizike dhe pa shtim/zgjerim të vatrave të reja në imazheritë me rezonancë magnetike. Sipas regjistrimit kombëtar kosovar të sklerozës multiple, të regjistruar janë afro 620 pacientë me sklerozë multiple, prej tyre 460 me formën RRMS. Mosha mesatare e pacientëve është rreth 40-vjeç dhe dy të tretat janë gra. Aktualisht. rreth 510 pacientë marrin trajtim imunomodulator. Përcjellja e këtyre pacientëve, shpërndarja dhe dhënia e terapisë, kontrollet e rregullta realizohen në Njësinë e Sklerozës Multiple, vëllimi i punës të së cilës shkon duke u shtuar dita-ditës, kurse një kontribut të madh përcjelljes dhe trajtimit të tyre japin të gjithë kolegët neurologë në Klinikën e Neurologjisë në QKUK dhe në spitalet rajonale të Kosovës.