ÇMIMI NOBEL PËR MJEKËSI DHE FIZIOLOGJI – KUPTIMI MË I MIRË I SISTEMIT IMUNOLOGJIK

ÇMIMI NOBEL PËR MJEKËSI DHE FIZIOLOGJI – KUPTIMI MË I MIRË I SISTEMIT IMUNOLOGJIK

Çmimi më prestigjioz ndërkombëtar në fushën e mjekësisë sivjet është ndarë nga tre shkencëtarë për kontributin e jashtëzakonshëm në kuptimin më të mirë të sistemit imunologjik. Biologia molekulare Mary Brunkow, këshilltari shkencor Fred Ramsdell dhe imunologu Shimon Sakaguchi u shpërblyen për dedikimin dhe kontributin e tyre në qartësimin e mekanizmave të kontrollit autoimun në trupin tonë, patologjia e të cilave i hap rrugë manifestimit të shumë sëmundjeve autoimune, në mesin e tyre edhe disa neurologjike.

Çdo ditë, sistemi ynë imunitar na mbron nga mijëra mikrobe të ndryshme që përpiqen të pushtojnë trupin tonë. Të gjitha këto mikrobe kanë pamje të ndryshme, dhe shumë prej tyre kanë zhvilluar ngjashmëri me qelizat njerëzore si një formë kamuflazhi. Pra, si e përcakton sistemi imunitar se çfarë duhet të sulmojë dhe çfarë duhet të mbrojë?

“Zbulimet e tyre kanë qenë vendimtare për kuptimin tonë mbi mënyrën se si funksionon sistemi imunitar dhe pse ne nuk zhvillojmë të gjithë sëmundje të rënda autoimune,” thuht në kumtesën e Komitetit Nobel.

Shimon Sakaguchi po notonte “kundër rrymës” në vitin 1995, kur bëri zbulimin e parë kyç. Në atë kohë, shumë studiues ishin të bindur se toleranca imunitare zhvillohej vetëm për shkak të eliminimit të qelizave imunitare potencialisht të dëmshme në timus, nëpërmjet një procesi të quajtur tolerancë qendrore. Sakaguchi tregoi se sistemi imunitar është më kompleks dhe zbuloi një klasë të panjohur më parë të qelizave imunitare, të cilat mbrojnë trupin nga sëmundjet autoimune.

Mary Brunkow dhe Fred Ramsdell bënë zbulimin tjetër të rëndësishëm në vitin 2001, kur paraqitën shpjegimin pse një lloj specifik miu ishte veçanërisht i ndjeshëm ndaj sëmundjeve autoimune. Ata zbuluan se këta minj kishin një mutacion në një gjen që e quajtën Foxp3. Ata gjithashtu dëshmuan se mutacionet në ekuivalentin njerëzor të këtij gjeni shkaktojnë një sëmundje të rëndë autoimune, IPEX.

Dy vjet më vonë, Shimon Sakaguchi arriti t’i lidhte këto zbulime. Ai vërtetoi se gjeni Foxp3 kontrollon zhvillimin e qelizave që ai kishte identifikuar në vitin 1995. Këto qeliza, të njohura tani si qeliza T rregulluese, mbikëqyrin qelizat e tjera imunitare dhe sigurojnë që sistemi ynë imunitar të tolerojë indet tona.

Zbulimet e laureatëve hodhën themelet e fushës së tolerancës periferike, duke nxitur zhvillimin e trajtimeve mjekësore për kancerin dhe sëmundjet autoimune. Kjo mund të çojë gjithashtu në transplantime më të suksesshme. Disa nga këto trajtime janë tashmë në faza të provave klinike.