FAKTORËT E RREZIKUT DHE PASQYRA KLINIKE E COVID-19 NË PACIENTËT ME SKLEROZË MULTIPLE NË KOSOVË

FAKTORËT E RREZIKUT DHE PASQYRA KLINIKE E COVID-19 NË PACIENTËT ME SKLEROZË MULTIPLE NË KOSOVË

Gjatë epidemisë së Covid-19 të shkaktuar nga koronavirusi i ri, në rrezik të shtuar nga sëmundshmëria dhe komplikimet eventuale kanë qenë pacientët me sëmundje kronike. Në mesin e tyre edhe pacientët me sklerozë multiple, në të cilën sëmundje zhvillohet reaksioni imunologjik dhe inflamator që për cak e ka mbështjellësin e mielinës në sistemin nervor qendror.

Në Njësinë e Sklerozës Multiple në Klinikën e Neurologjisë (themelimi i së cilës ka koinciduar me fillimin e pandemisë), pacientë janë mbikëqyrur edhe nga aspekti i infeksionit me koronavirus dhe implikimin e sëmundjes në ecurinë e sëmundjes dhe terapinë imunomodulatore të cilën kanë qenë duke e marrë.

Ekipi hulumtues i kryesuar nga Dr. Edmond Komoni, ka përcjellë 282 pacientë me MS prej të cilëve 272 kanë pasur Covid-19, e konfirmuar me testin PCR apo testin serologjik të antitrupave. Shumica e pacientëve kanë qenë ose pa simptoma ose me simptoma të lehta, ku vetëm 11 sish kanë qenë të hospitalizuar për shkak të simptomave të rënda. Dy prej pacienteve kanë vdekur nga komplikimet e infeksionit.

Pacientët me kohëzgjatje më të madhe të sëmundjes dhe me shkallë më të lartë të paaftësisë kanë pasur pasqyrë klinike më të rëndë të Covid-19. Pacientët me formën më të avancuar të sklerozës multiple kanë qenë për tre herë më të rrezikuar që të kishin Covid-19 më të rëndë. Të rrezikuar infeksioni më i rëndë kanë qenë edhe pacientët në terapinë me antitrupa monoklonalë anti-CD20, të cilët kanë pasur edhe nivel më të ulët të IgG në serum.

Pas punimit të publikuar para disa javësh lidhur me adherencën e pacientëve në trajtimin me interferon beta, ky publikim është i dytë i dalë nga Regjistri kosovar i pacientëve me sklerozë multiple. Paraqet të tretin punim burimor të këtij viti nga Klinika e Neurologjisë e QKUK-së.