HORIZONTET E REJA NË MENAXHIMIN E KOKËDHEMBJES
Gjatë javës së kaluar Shoqata e Neurologjisë e Kosovës organizoi konferencën me fokus në menaxhimin e kokëdhembjes. U paraqitën zhvillimet e reja në fushën e dhembjeve të kokës që paraqesin fushën me numrin më të madh të pacientëve në praktikën e përditshme neurologjike.
Prof. Betul Baykan Baykal, nga Universiteti i Stambollit, mori në pjesë në mënyrë virtuale dhe përmes lidhjes online bëri një prezantim për kriteret diagnostike të migrenës. Ajo tregoi se cilat janë kurthet dhe njëherësh pikat të cilat duhet të merren parasysh në mënyrë që diagnostikimi i kokëdhembjes të jetë i saktë dhe të mos anashkalohen disa lloje të saj të cilat potencialisht mund të jenë të rrezikshme për jetën e pacientëve.
Lidhur me gjendjen dhe ndikimin në aspektin terapeutik të barnave të reja që për cak e kanë receptorin CGRP, diskutoi Dr. Jehona Rrustemi Bytyqi nga Klinika e Neurologjisë në QKUK. Grupi i ri i barnave është në vitet e fundit i pranishëm në tregun amerikan dhe evropian, por pacientët kosovarë ende nuk kanë qasje në to. Dr. Bytyqi tregoi cilat lloje të barnave janë të aprovuara dhe se sa është ndikimi i tyre në parandalimin e sulmit akut dhe preventiv të migrenës.
Ass. Dr. Arianit Zajmi nga Universiteti i Prishtinës dhe Klinika e Neurologjisë ligjëroi mbi kundërthëniet e teorive të ndryshme në shpjegimin e mekanizmit patofiziologjik të migrenës. Duke e njoftuar publikun për hipotezat klasike dhe ato të reja në zhvillim për gjenezën e migrenës, tregoi në detaje për pikat e forta dhe të dobëta të tyre në shpjegimin e prejardhjes së formës më të shpeshtë të kokëdhembjes.
Gjatë 2024-s u finalizua Udhërrëfyesi kombëtar kosovar për trajtimin e kokëdhembjeve. Udhëheqësi i grupit punues të caktuar nga MSH-ja, Ass. Dr. Blerim Myftiu nga Universiteti i Prishtinës dhe Klinika e Neurologjisë në QKUK shpalosi strukturën dhe detajet e këtij Udhërrëfyesi. Ai deklaroi se Udhërrëfyesi trajton menaxhimin e kokëdhembjeve primare dhe të neuralgjisë trigeminale. Ai është në fazën finale të recensionit dhe se brenda dhjetorit pritet të dorëzohet në MSH për procedura të mëtejme.