KONFERENCA RAJONALE E SKLEROZËS MULTIPLE NË PRISHTINË

KONFERENCA RAJONALE E SKLEROZËS MULTIPLE NË PRISHTINË

Përmbyllja e vitit në fushën e trajtimit të sëmundjeve demielinizuese dhe në veçanti e sklerozës multiple është bërë me organizimin e Konferencës rajonale në Prishtinë, ku pjesëmarrës nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë shkëmbyer përvojat dhe të dhënat e fundit për menaxhimin e kësaj sëmundjeje. Mysafiri special i ngjarjes ka qenë miku i neurologjisë kosovare, Prof. Aksel Siva, nga Universiteti i Stambollit Cerrahpasa. Ligjërimi i tij ka ngërthyer një rrugëtim rreth 40-vjeçar të njohurive lidhur me sklerozën multiple - prej pikës në vitet 1980-ta kur informatat për sëmundjen kanë qenë gjithsesi të mangëta dhe kanë munguar shumë ekzaminime imazherike dhe laboratorike; deri në pikën aktuale kur diagnostikimi është lehtësuar, por në dritën e kostos së trajtimit, shumë shtete në zhvillim ballafaqohen me mungesën e terapive bashkëkohore.

Në sesionin e parë shkencor, Prof. Tatjana Boshkova-Petkovska, Dr. Edmond Komoni dhe Prof. Altin Kuqo paraqitën një përmbledhje të gjendjes së menaxhimit të sklerozës multiple në shtetet përkatëse të tyre. Drejtori i Klinikës së Neurologjisë, Dr. Edmond Komoni, rrëfeu për zhvillimet më të hovshme që kanë ndodhur nga viti 2020 e këtej, duke iu falënderuar zgjerimit të listës esenciale. E përmendi hartimin e Udhërrëfyesit kombëtar për sëmundjen demielinizuese dhe përshtatjen e kritereve të trajimit rrethanave kosovare. Në Kosovë, në regjistrin kombëtar të sëmundjes janë të regjistruar 667 pacientë me sklerozë multiple dhe 551 prej tyre marrin terapi imunomodulatore, duke bërë që 83% të pacientëve të jenë nën trajtim. Mesatarisht në vit diagnostikohen 58 pacientë me sklerozën multiple, mosha mesatare në kohën e diagnostikimit është 28, kurse mosha mesatare e pacientëve është afër 40.

Sesioni i dytë u vazhdua me prezantimin e Dr. Pavllo Djamandit nga QSUT "Nënë Tereza" për përvojën shqiptare të terapisë imunomodulatore. Dr. Blerim Myftiu nga Klinika e Neurologjisë e Kosovës prezantoi tendencën e Klinikës së Neurologjisë që numrin sa më të madh të pacientëve ta përfshijë në trajtimin me barna të efikasitetit të lartë, por duke e cekur edhe vështirësitë dhe kufizimet buxhetore në këtë drejtim. Të njëjtat sfida në Maqedoninë e Veriut u prezantuan nga Dr. Bojan Boshkovski.

Konferenca e moderuar nga Prof. Jera Kruja dhe Prof. Afrim Blyta u përmbyll me planifikimin e organizimeve të tjera të ngjashme me qëllim të shtimit të fluksit të bashkëpunimit ndërrajonal.