PROF. AFRIM BLYTA RIZGJEDHET KRYETAR I SHOQATËS SË NEUROLOGJISË TË KOSOVËS
Shoqata e Neurologjisë e Kosovës (SHNK) ka mbajtur zgjedhjet për kryetarin dhe përbërjen e re të Kryesisë (Bordit) të saj. Me shumicë votash të anëtarëve të pranishëm, Prof. Afrim Blyta është rizgjedhur në krye, kurse Prof. Nexhmedin Shala është rizgjedhur në pozitën e nënkryetarit të SHNK-së.
Me ndryshimet e miratuara në statutin e SHNK-së, është vendosur që Kryesia e re të përbëhet nga 13 anëtarë, 7 prej tyre nga Klinika e Neurologjisë së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), 1 nga Reparti i Neurologjisë në Klinikën e Pediatrisë dhe nga një prej Spitaleve Rajonale të Mitrovicës, Pejës, Prizrenit, Gjakovës dhe Gjilan-Ferizajt.
Në mbledhjen zgjedhore, neurologët dhe specializantët e Klinikës së Neurologjisë kanë zgjedhur 7 anëtarët e kësaj Klinike: Ass. Blerim Myftiun, Dr. Dren Boshnjakun, Ass. Fisnik Jasharin, Dr. Edmond Komonin, Dr. Argjend Shalën, Dr. Melihate Pushkën, dhe Dr. Shpresa Beqirin. Anëtarët e Kryesisë nga Spitalet Rajonale dhe Reparti i Pediatrisë Neurologjike do të delegohen nga kolegjiumet përkatëse gjatë javës së ardhshme.
Pas themelimit të Kryesisë së re të SHNK-së, do të zgjedhen sekretari, arkëtari dhe strukturat e tjera përbërëse të SHNK-së, me qëllim të planifikimit dhe intensifikimit të programit të punës për vitet në vijim.