BULETINI I ECTRIMS PËR MUAJIN PRILL 2024
1. NEUROFILAMENTET SI BIOMARKERË NË ÇRREGULLIMET NEUROLOGJIKE – DREJT APLIKIMIT KLINIK
Review-artikulli aktual diskuton për aplikimin klinik të neurofilamenteve si biomarkerë së disa çrregullime neurologjike, përfshirë sklerozën multiple, NMOSD-në dhe MOGAD-in. Matja e nivelit të zinxhirit të lehtë të neurofilamentit (NfL) dhe të proteinës acidike fibrilare gliale (GFAP) në serum mund të ndihmojë në parashikimin e progresionit të sëmundjes në pacientët me MS, më efektivisht se sa imazheria standarde me rezonancë magnetike (MRI) dhe vlerësimi klinik. Në praktikën klinike, këta biomarkerë e kanë potencialin që të përdoren për kuantifikimin e aktivitetit të sëmundjes dhe monitorimin e përgjigjes ndaj barit. Zinxhiri i lehtë (NfL) dhe i rëndë (NfH) i neurofilamentit janë biomarkerë edhe të aktivitetit dhe të progresionit në NMOSD dhe MOGAD. GFAP duket të jetë më i përshtatshëm se sa NfL në monitorimin e NMOSD-së.
https://www.nature.com/articles/s41582-018-0058-z
2. DËMTIMI SINAPTIK NË SHTRESËN PLEKSIFORME TË BRENDSHME TË RETINËS ËSHTË E NDËRLIDHUR ME PROGRESIONIN NË SKLEROZËN MULTIPLE
Në këtë studim, teoria e humbjes sinaptike është hulumtuar duke e përdorur modelin shtazor të sklerozës multiple kronike, një grup të pacientëve me MS dhe substratin biologjik të humbjes sinaptike. Minjtë me encefalomielit autoimun eksperimental kishin humbje sinaptike në shtresën pleksiforme të brendshme të retinës në fazën shumë të hershme, gjatë ditëve të para të simptomave. Hulumtuesit e analizuan më pas një grup me mbi 800 pacientë me MS, të cilët u përcollën për 12 vite. Në të dhënat e pacientëve përfshiheshin edhe matjet e trashësisë së shtresës pleksiforme të brendshme të retinës përmes tomografisë së kompjuterizuar optike. 70 pacientë të këtij grupi që ishin të diagnostikuar me formën RRMS kaluan në fazën SPMS. Për 19 prej këtyre pacientëve ekzistonin dy matje retinale në distancë kohore së paku 6 muaj të ndarë, në vitin para se sëmundja të progredonte në fazën SPMS. Matjet e tyre retinale treguan humbjes mesatare prej 0.259 mikrometrave të trashësisë së shtresës pleksiforme të brendshme për vit. Përkundrazi, trashësia e kësaj shtrese te pacientët që mbetën stabil, përkatësisht në fazën RRMS, nuk ndryshoi. Prandaj, ky monitorim i retinës mund të jetë prediktivë për progresionin e sëmundjes. Analiza proteomike e serumit tregoi që demielinizimi, aktivizimi glial dhe humbja sinaptike janë fuqishëm të ndërlidhur me dhe të pavarur nga dëmtimi aksonal.
https://www.cell.com/cell-reports-medicine/pdf/S2666-3791(24)00136-8.pdf
3. ENDOFENOTIPAT E SKLEROZËS MULTIPLE, TË IDENTIFIKUAR ME SHËNJUES GJAKU JANË TË NDËRLIDHUR ME TRAJEKTORE TË NDRYSHME TË SËMUNDJES
Trajtimi i personalizuar i sklerozës multiple është sfidë aktuale. Shënjuesit imunologjikë periferikë mundësojnë stratifikimin e pacientëve dhe i mbështesin vendimet adekuate të trajtimit. Autorët e këtij studimi i analizuan qelizat mononukleare të gjakut dhe serumin e 309 pacientëve të fazës së hershme të sklerozës multiple. Duke e përdorur kombinimin e citometrisë dhe të proteomikëve të serumit, identifikuan tre endofenotipa imunologjikë. Prania e këtyre tre tipave u konfirmua në një popullacion tjetër me 232 pacientë. Secili endofenotip imunologjik karakterizohej me alterimet e kompartameneve të veçanta imunologjike dhe shoqërohej me trajektore të veçantë të sëmundjes. Endofenotipi “degjenerativ” ndërlidhej me progresionin e hershëm të paaftësisë, derisa endofenotipi “inflamator” ndërlidhej me veçori inflamatore të sëmundjes. Terapitë standarde imunologjike për MS kanë pasur kapacitete të ndryshme për normalizimin e alterimeve imunologjike specifike për endofenotip.
https://www.science.org/doi/10.1126/scitranslmed.ade8560
4. ANALIZA NJËVJEÇARE E EFIKASITETIT DHE SIGURISË SË OCRELIZUMABIT NË RRMS TE PERSONAT ME NGJYRË/AFRIKANË DHE HISPANIKË/LATINË
Studimi i hapur, një-krahësh, multicentrik, i fazës së katërt, i zhvilluar në SHBA dhe Keni ka përfshirë 113 pacientë me ngjyrë/afrikanë dhe 69 hispanikë/latinë me formën RRMS dhe të trajtuar me ocrelizumab. Gati gjysma e pacientëve nuk kanë demonstruar aktivitet të sëmundjes gjatë periudhës së trajtimit prej 48 javësh.
https://www.neurology.org/doi/abs/10.1212/WNL-.0000000000205282
5. PËRCAKTUESIT DHE BIOMARKERËT E PROGRESIONIT TË PAVARUR NGA RELAPSET NË SKLEROZËN MULTIPLE
Studimi përqendrohet në mekanizmat prapa zhvillimit dinak të sëmundjes, përkatësisht në progresionin e aktivitetit të sëmundjes që nuk ndërlidhet me relapset manifeste – PIRA. PIRA mund të jetë i pranishëm që në fillim të sëmundjes, por detektimi i tij shpesh është sfidues. Pacientët me MS të diagnostikuar në moshë pediatrike mund të mos kenë PIRA për së paku 10 vite. Disa testime mund të jenë të dobishme në detektimin e grumbullimit të paaftësisë, siç janë testi i ecjes në 6.72 metra (T25FW) dhe testi me 9 vrima (9-HPT) – dy teste sasiore që e matin lëvizjen dhe aftësinë e këmbëve, përkatësisht të duarve. Funksionet kognitive, veçanërisht shpejtësia e përpunimit të informatave, e matur me Testin e Modaliteteve të Simboleve (SDMT), duhet të vlerësohen rregullisht. Markerët premtues imazherik për PIRA përfshijnë matjet longitudinale të substancës gri të trurit dhe lezionet me kornizën paramagnetike. Zinxhiri i lehtë i neurofilamentit (NfL) dhe proteina acidike fibrilare gliale (sGFAP) në serum janë në hulumtim e sipër.
https://pubmed.ncbi.nlm.nih.gov/38568026/
6. MIKROSTRUKTURA E TRURIT ËSHTË E LIDHUR ME LODHJEN KOGNITIVE NË SKLEROZËN MULTIPLE TË HERSHME
Studimi aktual vë në pah se integriteti i mikrostrukturës trunore mund të jetë i ndryshuar gjatë viteve të para të sëmundjes. Ndryshimet që mund të maten me imazherinë sasiore multiparametrike me rezonancë magnetike paraqiten në substancën e bardhë dhe gri të trurit që përndryshe duken normale dhe ndërlidhen me lodhjen kognitive. Tetëmbëdhjetë pacientë me moshë mesatare 31-vjeçare, me RRMS apo CIS, janë studiuar në Belgjikë. Lodhja kognitive është konstatuar në 7 pacientë me formë të rëndë, 3 me formë mesatare dhe 10 pacientë me formë të lehtë të sklerozës multiple.
https://link.springer.com/article/10.1007/s00415-024-12316-1
7. T-QELIZAT SPECIFIKE PËR EBV NË SKLEROZË MULTIPLE
Në mbledhjen e Komitetit amerikan për sklerozë multiple (ACTRIMS) është paraqitur prezantimi i cili e mbështet rolin e infeksionit me EBV në sklerozën multiple. Përmes analizës qelizore, hulumtuesit kanë identifikuar numër të rritur në qelizave T CD8+ në lëngun trunoshpinor të personave me sklerozë multiple. Në dy prej 13 pacientëve, receptorët e qelizave T kanë qenë specifike për EBV.
https://www.nature.com/articles/s41582-024-00959-7#citeas